Danimarka merr kryesimin e BE-së, zgjerimi në Ballkanin Perëndimor ndër prioritetet
Presidenca daneze e Bashkimit Evropian, e cila nisi më 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2025, ka shpallur zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore të saj.
Në qendër të vëmendjes janë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, si dhe Ukraina dhe Moldavia.
Sipas zyrtarëve të presidencës daneze, zgjerimi nuk shihet më si një proces thjesht teknik apo burokratik, por si një imperativ gjeopolitik për paqen dhe stabilitetin në kontinent. Qasja e Danimarkës synon të promovojë një proces të bazuar në merita dhe të udhëhequr nga vlerat evropiane.
Krerët e institucioneve të BE-së zhvilluan një vizitë në Danimarkë në fundjavë për të shënuar zyrtarisht nisjen e presidencës. Me këtë rast, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e vlerësoi zgjerimin si një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët të Evropës.
“Zgjerimi nuk është një proces burokratik. Është një investim strategjik në paqe, stabilitet dhe në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Dhe e di që mund të mbështetemi te presidenca daneze për të çuar përpara negociatat me Ukrainën, Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa, raporton televizioni publik përmes gazetares Gjeraqina Tuhina.
Kosova në agjendë, por pa garanci për përparim
Edhe pse Danimarka ka shprehur përkushtim për të çuar përpara procesin e zgjerimit, mbetet e paqartë nëse gjatë kësaj presidencë do të ketë ndonjë hap konkret për Kosovën, e cila aplikoi për statusin e kandidatit në vitin 2022.
Ambasadori danez në BE, Carsten Jensen, ka theksuar se Danimarka është e gatshme të promovojë zgjerimin, por suksesi varet nga konsensusi mes të gjitha shteteve anëtare.
“Përparimi është i mundur vetëm nëse ekziston pajtueshmëri nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Jensen.
Në rastin e Kosovës, pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj, gjë që ka bllokuar çdo mundësi për shqyrtimin e aplikimit për statusin e kandidatit.
Përkundër sfidave politike, Danimarka premton të jetë një presidencë aktive dhe e angazhuar në drejtim të zgjerimit, me shpresën se do të ketë përparim të paktën për ato vende që nuk përballen me kundërshtime formale nga ndonjë shtet anëtar.