Çitaku: PDK do të qëndrojë në opozitë, jemi vite larg me LVV-në
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja do të mbetet në opozitë, pas takimit të partive parlamentare me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Foto: Ilustrim
Çitaku tha se PDK-ja është e interesuar që institucionet e Kosovës të konstituohen sa më shpejt, në mënyrë që Kuvendi të fillojë adresimin e kërkesave dhe çështjeve me interes për qytetarët.
Ajo theksoi se PDK-ja nuk sheh hapësirë të madhe për bashkëpunim politik me Lëvizjen Vetëvendosje, duke nënvizuar dallimet e mëdha mes dy subjekteve.
“Jemi vite larg me LVV-në dhe shohim pak hapësirë për bashkëpunim, mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Çitaku.
Megjithatë, ajo bëri të qartë se ky bashkëpunim nuk nënkupton pjesëmarrje në qeverisje, pasi sipas saj, PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.
“PDK do të jetë në opozitë”, përfundoi Çitaku.
