Borxhi publik, e vetmja mundësi që Kosova të dalë nga kriza ekonomike

08.05.2021

Hyrja në borxh publik po konsiderohet nga ekspertë të fushës së ekonomisë si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza ekonomike në të cilën është futur Kosova gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki […]

Borxhi publik, e vetmja mundësi që Kosova të dalë nga kriza ekonomike Foto: Ilustrim

Hyrja në borxh publik po konsiderohet nga ekspertë të fushës së ekonomisë si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza ekonomike në të cilën është futur Kosova gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i Bruto Produktit Vendor është kthyer në nivelin e vitit 2018. Sipas tij, BPV-ja nuk është 7 miliardë euro, por 6.5 miliardë, që është kthim mbrapa.

Për një rikthim të ekonomisë në nivelet e para pandemisë, shton Shatri, do të ishin të mjaftueshme rreth 1.5 miliard euro.

Shatri thotë se futja në çfarëdo borxhi publik, duhet të bëhet me një program të mirëfilltë, i cili do ta arsyetonte para institucioneve financiare kërkesën për hua.

“Nëse nuk shkohet me program të tillë, të përgatitur mirë, nuk ta lejon askush huanë, pasi ata dëshirojnë të kenë kredimarrësin e sigurt, që mjetet e tyre të kthehen në afatin e paraparë”, shton Shatri.

Masat qeveritare për adresimin e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, kanë ndikuar në rritjen e borxhit publik. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, borxhi publik ka arritur vlerën prej 1.5 miliard euro.

Rritja e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 21.5 për qind (i cili ka arritur në 961.9 milionë euro), dhe rritjes së borxhit të jashtëm publik prej 28.6 për qind, duke arritur në 525.8 milionë euro.

Rikthimi i ekonomisë në nivelet e para pandemisë edhe sipas Bankës Botërore kërkon vite. BB-ja në raportin e fundit të publikuar në muajin prill, vë në pah se ekonomia e Kosovës në nivelet e para pandemisë, rikthehet më 2022.