Bllokada në Kuvend – Po vazhdon takimi i Kurtit me liderët e partive parlamentare
Rreth dy orë më parë ka nisur takimi i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive politike parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Foto: Ilustrim
Qëllimi i këtij takimi është gjetja e një zgjidhjeje për zhbllokimin e situatës politike dhe diskutimi për konstituimin e Kuvendit, në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar që përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, duke detyruar kësisoj partitë politike që të gjejnë një konsensus institucional për ecjen përpara.
Në takim po marrin pjesë liderë dhe përfaqësues të të gjitha partive kryesore parlamentare. Nga Partia Demokratike e Kosovës janë të pranishëm kryetari Memli Krasniqi dhe deputetja Vlora Çitaku. Lidhjen Demokratike të Kosovës po e përfaqësojnë kryetari Lumir Abdixhiku dhe shefja e grupit parlamentar, Hykmete Bajrami. AAK-në e përfaqëson deputetja Time Kadrijaj.
Pjesë e diskutimeve janë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, dhe udhëheqësi i GUXO-s, Faton Peci. Po ashtu, në takim janë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë.
Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”