Biden letër Osmanit për pavarësi: Inkurajojmë Kosovën të përmbushë obligimet e dialogut me Serbinë

16.02.2024

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë, ku ndër të tjera ka inkurajuar udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

Biden letër Osmanit për pavarësi: Inkurajojmë Kosovën të përmbushë obligimet e dialogut me Serbinë Foto: President Joe Biden and First Lady Jill Biden participate in a photo line with leaders attending the United Nations General Assembly, Tuesday, September 19, 2023, at the Metropolitan Museum of Art in New York City. (Official White House Photo by Adam Schultz)

Biden ka thënë se SHBA e mbështet një Kosovë multi-etnike dhe të integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.

“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”.