Bali Muharremaj u bën thirrje qytetarëve të Suharekës të aplikojnë për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se Komuna po vazhdon pranimin e kërkesave nga qytetarët e prekur nga vërshimet e fundit, me qëllim të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara.
Sipas njoftimit, të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga këto vërshime ftohen që brenda afatit të përcaktuar të paraqesin kërkesën e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.
Për aplikim kërkohet dokumentacioni përkatës, përfshirë kërkesën zyrtare që merret në administratën komunale, kopjen e letërnjoftimit, konfirmimin e llogarisë bankare në emër të aplikuesit, fotografi të printuara me ngjyrë që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, si dhe dokumente shtesë që vërtetojnë pronësinë, nëse ka.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është më 22 janar 2026, ndërsa aplikimet mund të bëhen personalisht në Zyrën Nr. 1, në Drejtorinë e Bujqësisë apo në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në Komunën e Suharekës.
Kryetari Muharremaj ka bërë thirrje që qytetarët e prekur të aplikojnë me kohë, në mënyrë që procesi i vlerësimit të dëmeve të realizohet sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të drejtë.

Foto: Bali Muharremaj