Azemi dorëzon dëshmi në ZRRE: LDK kërkon hetim urgjent për manipulimet me njehsorët e energjisë

30.03.2026

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) qindra dëshmi që, sipas tij, argumentojnë manipulime me njehsorët e energjisë elektrike në dëm të qytetarëve.

Azemi theksoi se LDK kërkon hetim të menjëhershëm të kësaj skeme të dyshuar të mashtrimit, si dhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

Sipas tij, një bord që ka lejuar manipulime të tilla nuk ka legjitimitet për të marrë vendime për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Gjatë takimit me zyrtarë të ZRRE-së, përfaqësuesit e LDK-së kërkuan edhe ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve nga punëtorët e KEDS-it në njehsorët elektrikë, duke argumentuar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave, çka përbën vepër penale.

LDK vlerëson se qytetarët e dëmtuar nga këto manipulime duhet të kompensohen, ndërsa kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale për rastin.