Avokati i Popullit kërkon pezullimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga ZRrE
Avokati i Popullit i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) pezullimin e menjëhershëm të vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, derisa të përfundojnë hetimet në lidhje me ankesat e shumta të qytetarëve.
Në një njoftim zyrtar, ky institucion thekson se vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar në mënyrë të veçantë grupet më të cenueshme të shoqërisë dhe familjet që mbështeten në asistencën sociale. Sipas Avokatit të Popullit, kjo rritje e çmimit ka krijuar shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe për qasjen e barabartë në shërbimet bazë.
Përveç ndikimit social, Avokati i Popullit ka vënë në dukje edhe mungesën e koordinimit institucional në kohën kur janë marrë këto vendime të rëndësishme.
“Këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit. Kërkesa për pezullim të vendimit synon të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të sigurojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrjen për çështje kaq sensitive.