Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të LDK-së, pas dorëheqjes së Lumir Abdixhikut si pasojë e rezultatit të fundit zgjedhor. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Hoti përmes një postimi në Facebook.
Foto: Ilustrim
Në reagimin e tij, Hoti ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, e cila do të mbahet më 31 janar 2026, do të kërkojë besimin e delegatëve për t’i prirë partisë.
Ai ka falënderuar udhëheqjen e deritanishme të LDK-së, përfshirë kryetarin Abdixhiku, Kryesinë, degët, nëndegët dhe forumet e partisë, duke theksuar se anëtarësia mbetet shtylla kryesore e LDK-së.
Hoti është zotuar për një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke premtuar se askush nuk do të mbetet i përjashtuar dhe se avancimi në LDK do të bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim.
Ai ka theksuar rëndësinë e rolit të grave, të rinjve dhe profesionistëve në ringritjen politike dhe organizative të partisë.Në postimin e tij, Hoti ka nënvizuar se LDK-ja ka potencial për t’u rikthyer si forca kryesore politike në vend, duke u mbështetur në vlerat themeltare të demokracisë së brendshme, guximit politik, vizionit shtetformues dhe orientimit euro-atlantik.
Duke bërë thirrje për unitet dhe maturi politike, Avdullah Hoti e ka cilësuar këtë moment si një fillim të ri për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për rolin e saj në të ardhmen e Republikës së Kosovës.
