Arrestohet shqiptari në Britani, i dyshuar për përfshirje në një vrasje me pagesë
Njësia e të kërkuarve e NCA (National Crime Agency) në Britani, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka arrestuar Lorenc Lala, 47 vjeç, një prej personave të afërt me të shumëkërkuarin Laert Haxhiu.
Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve që ka siguruar Top Channel, Lala është arrestuar në kuadër të një kërkese për ekstradim të autoriteteve shqiptare, të cilat e akuzojnë për konspiracion për të realizuar një vrasje si pjesë e një organizate kriminale.
Lorenc Lala është vënë në paraburgim deri më 24 qershor, datë kur ai do të dalë sërish përpara gjykatës së ekstradimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Masa e sigurisë është marrë për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe rolit të tij në një rrjet kriminal të dhunshëm, që dyshohet të ketë operuar në Shqipëri.
Drejtësia shqiptare e lidh Lalën me vrasjen e Albi Bashaliut, të ndodhur në fshatin Gjocaj të Peqinit, vrasje e kryer sipas hetimeve kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh. Sipas dosjes hetimore, kjo shumë është paguar nga vetë Lorenc (alias Kristian) Lala, në drejtim të Laert Haxhiut, i cili më pas ka mobilizuar grupin e tij për realizimin e ekzekutimit.
Në dosjen hetimore përmendet rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka deklaruar se vrasja është kryer nga ai vetë, së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun.
Lala, i konsideruar si një figurë kyçe në komunikimin dhe logjistikën e vrasjes, pritet të përballet me akuza të rënda në Shqipëri nëse ekstradohet, përfshirë pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe vrasje me paramendim kundrejt shpërblimit.
Hetimet për këtë rast janë pjesë e një fushate më të gjerë të autoriteteve shqiptare për çmontimin e grupeve kriminale të lidhura me vrasje me pagesë dhe veprimtari mafioze.