Arrestohet në Morinë një shtetas turk i kërkuar ndërkombëtarisht
Policia Kufitare ka vënë në pranga një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e vendit të tij, si rezultat i kontrolleve të shtuara në pikën kufitare me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe lëvizjeve të dyshimta.
I arrestuari është Tahsin Yazici, 22 vjeç, banues në Turqi, i cili është ndaluar nga forcat kufitare në hyrje të Shqipërisë nga territori i Kosovës, në Pikën Kufitare të Morinës.
Pas verifikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, rezultoi se i riu ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gaziosmanpasa, Turqi, e cila e kishte dënuar me 4 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit”.
Operacioni i ndalimit u realizua nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ndërsa tashmë është angazhuar Interpol Tirana, që ka nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Strukturat e policisë shqiptare theksojnë se kontrollet e shtuara në pikat kufitare do të vijojnë me intensitet, në funksion të forcimit të sigurisë dhe kapjes së personave në kërkim ndërkombëtar.