Analistët: Dialogut i duhet ndërmjetësues nga shtetet e fuqishme evropiane

12.04.2024

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të ndërmjetësohet nga një diplomat që vjen nga shtetet e fuqishme evropiane.

Analistët: Dialogut i duhet ndërmjetësues nga shtetet e fuqishme evropiane Foto: Ilustrim

Megjithatë, konsiderojnë se parimet e Bashkimit Evropian, sa i përket dialogut, janë të qarta.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, po synon ta trashëgojë pozitën e sllovakut Miroslav Lajçak, në rolin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme për atë se çfarë roli mund të ketë Pahor, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Artan Muhaxhiri, vlerëson se një individ nuk mund të ketë rol të fuqishëm, pasi sipas tij, kornizat e Bashkimit Evropian, sa i përket dialogut, janë të qarta.

“Edhe nëse  z.Pahor vjen, nuk mendoj që do të ketë ndryshime të mëdha në qasjen dhe në modelin e negociatave sepse parimet janë të qarta. Kërkesat, si nga Kosova dhe nga Serbia janë të qarta, kështu që mendoj që në përgjithësi do të vazhdojë trendi aktual”, theksoi Muhaxhiri për RTK-Radio.

Por, analisti Gazmir Raci, thotë se për shkak të ndjeshmërisë që ka dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më mirë do të ishte që ndërmjetësuesi të vinte nga shtetet e fuqishme evropiane.

“E dimë që marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Slloveninë janë shumë të mira, por për shkak të sensitivitetit, për shkak të problemit të dialogut dhe për shkak të Serbisë, e cila sërish pretendon të jetë hegjemon mbi Kosovën, është e vështirë që një ndërmjetës nga vendet e rajonit të luaj rol të fuqishëm. Prandaj, më mirë do të ishte që dialogun ta ndërmjetësoj një diplomat karriere nga Gjermania p,sh. ose nga vendet e tjera të fuqishme”, deklaroi Raci.

Për dy mandate, dialogu është ndërmjetësuar nga sllovaku Miroslav Lajçak, të cilit mandati i përfundon në fund të gushtit të këtij viti.