BE-ja: Heqja e masave në “këmbim” të de-eskalimit dhe zbatimit të marrëveshjeve

17.12.2024

Bashkimi Evropian ka vendosur kushte të qarta për Kosovën, duke lidhur heqjen e masave të vendosura më parë me përparimin në de-eskallëzimin e situatës në veri të vendit dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.

Këto janë përfundimet kryesore të konkluzave të miratuara sot nga Këshilli i çështjeve të përgjithshme i BE-së, në lidhje me procesin e zgjerimit dhe veçanërisht me situatën në Kosovë.

Në dokumentin e miratuar, BE-ja bën të qartë se masat ndaj Kosovës janë të kthyeshme dhe se do të hiqen gradualisht, por vetëm nëse Prishtina ndërmarr hapa konkretë për të depërshkallëzuar tensionet në veri, duke përfshirë edhe nisjen e punës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“BE-ja do t’i heqë gradualisht masat paralelisht me hapat tjerë të Kosovës për të depërshkallëzuar tensionet në veri”, thuhet në konkluza.

Për më tepër, Kosova ftohet që pa vonesa të përcjellë draft statutin evropian për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Një tjetër kërkesë e fortë e BE-së është që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të zbatojnë pa vonesa dhe pa parakushte Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit. Brukseli rikujton se përparimi në dialog është kusht esencial për avancimin e të dyja vendeve në proceset e integrimit evropian.

Në konkluzat e miratuara, ministrat e BE-së shprehin shqetësim të thellë për situatën në veri të Kosovës, duke dënuar me forcë dhunën e ndodhur atje, përfshirë sulmin e fundit të 29 nëntorit. Gjithashtu, rikujtohet dënimi i dhunës së pranverës së vitit të kaluar dhe sulmit në Banjskë. Në këtë kontekst, BE-ja shpreh keqardhje të thellë që Serbia nuk ka ndërmarr hapa të mjaftueshëm për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

“Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për de-eskallëzim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse”, thuhet në konkluzat.

Këto konkluza të ministrave do të mbështeten edhe nga niveli më i lartë politik i BE-së, në takimin e liderëve të shteteve anëtare që do të mbahet më 19 dhjetor.