Ambasadorja Amerikane thekson rëndësinë e Kushtetutës dhe nderon ish-kryetaren e Gjykatës Kushtetuese
E ngarkuara me punë e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Prattipati, ka vlerësuar lart Kushtetutën e Kosovës si një dëshmi të përkushtimit dhe udhërrëfyes që shërben si kujtesë e rrugëtimit të vazhdueshëm drejt drejtësisë, barazisë dhe lirisë për të gjithë qytetarët e vendit.
Deklarata e saj u bë gjatë shënimit të Ditës së Kushtetutës së Kosovës, një organizim i përbashkët i Koalicionit të organizatave joqeveritare, i cili përfshin Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizjen FOL dhe Iniciativën për Progres (INPO).
“Kushtetuta e Kosovës paraqet dëshmi të përkushtimit tuaj ndaj demokracisë dhe mbrojtjes së lirive themelore. Është dokument i gjallë që ruan vlerat që udhëheqin këtë vend”, theksoi Prattipati, duke shprehur kënaqësinë e saj për të qenë pjesë e këtij evenimenti të rëndësishëm.
Ajo shtoi se Kushtetuta shërben si një udhërrëfyese drejt një shoqërie ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo prejardhjeje, gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.
Gjatë fjalës së saj, Prattipati veçoi dhe nderoi punën e ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, duke e cilësuar kontributin e saj instrumental në forcimin e gjyqësorit të Kosovës.
“Me detyrën e saj si kryetare e kësaj Gjykate, Caka-Nimani ndikoi me qasjen e saj të drejtë dhe të paanshme ndaj ligjit. Pasioni i Gresës për drejtësi, paanshmëri dhe transparencë hodhi themelet që do të kenë ndikim të vazhdueshëm në sistemin ligjor të Kosovës”, u shpreh e ngarkuara me punë e SHBA-së.
Ajo vlerësoi gjithashtu faktin se Caka-Nimani dëshmoi pavarësinë thelbësore të gjyqësorit për ruajtjen e ekuilibrit të pushtetit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në një shoqëri demokratike. “Kjo punë e pandalshme shërben si frymëzim për të gjithë ata që përpiqen për drejtësi dhe qeverisje efektive në Kosovë”, shtoi Prattipati.
Më tej, ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese mund të krenohet me shumë arritje që nga viti 2009, duke u kthyer në një gurthemel të kornizës ligjore të vendit, dhe se vendimet e saj vazhdojnë të ndërtojnë evolucionin ligjor dhe demokratik të Kosovës. Sipas saj, besimi i lartë i publikut në këtë institucion, me 78% të kosovarëve që e perceptojnë atë si të paanshëm dhe të pavarur sipas një ankete të vitit 2024, dëshmon efektivitetin dhe integritetin e Gjykatës.
“SHBA-ja vazhdon të mbështesë institucionet gjyqësore në Kosovë dhe rolin e tyre të rëndësishëm për të kërkuar përgjegjësi nga aktorët qeveritarë”, pohoi Prattipati, duke nderuar punën e liderëve si Gresa Caka-Nimani, të cilët janë të përkushtuar për të siguruar që drejtësia dhe paanshmëria të jenë realitete për popullin e Kosovës.