Ambasadori gjerman Rohde vlerëson përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit
Ambasadori gjerman në Republikën e Kosovës, Jorn Rohde, ka përshëndetur përparimin e dukshëm të vendit në luftën kundër korrupsionit, duke u shprehur i lumtur për rezultatet e arritura.
Sipas raportit të fundit të Transparency International, Kosova është renditur e 73-ta në nivel global për vitin 2024 dhe e dyta në rajon, pas Malit të Zi.
Ky përmirësim përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023, kur Kosova ishte e pozicionuar në vendin e 83-të. Me këtë lëvizje prej 10 pozicionesh në indeks, vendi ka shënuar një progres të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
Ambasadori Rohde, i cili ka nisur misionin e tij diplomatik në Kosovë në vitin 2020, ka vënë në dukje përmirësimet e vazhdueshme që nga ajo kohë.
“Kudos! Që nga ardhja ime në vitin 2020, Kosova është ngjitur 31 vende në Indeksin e Anti-korrupsionit. Tani renditet e 73-ta në nivel global, e dyta në rajon, pas Malit të Zi. Kjo arritje nxjerr në pah përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, transparencës dhe qeverisjes së mirë. Vazhdoni këtë trend pozitiv!” u shpreh Rohde.
Përparimi i Kosovës në këtë indeks konsiderohet një sinjal i rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare dhe për investitorët e huaj, duke reflektuar një angazhim më të madh të institucioneve për ndërtimin e një shteti më të drejtë dhe më transparent.