Aksion në Brezovicë: Sekuestrohen kamp-shtëpiza të vendosura në mënyrë të kundërligjshme
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal të Shtërpcës dhe me asistencën e Policisë së Kosovës – Stacioni në Shtërpcë, ka nisur një aksion për sekuestrimin e kamp-shtëpizave lëvizëse të vendosura pa autorizim në zonën e Ski Qendrës Brezovicë.
Ky operacion është pjesë e masave të rregullta të autoriteteve për të larguar aktivitetet ilegale nga zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Institucionet njoftojnë se të gjithë personat që veprojnë në kundërshtim me ligjin do të përballen me masa ndëshkuese, në përputhje me kompetencat ligjore.
Nga Parku Kombëtar “Sharri” u bëhet thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjin dhe rregulloret përkatëse, për të shmangur pasoja ligjore që mund të rrjedhin nga veprimet e njëanshme apo të paautorizuara.
Autoritetet theksojnë përkushtimin e tyre për mbrojtjen e natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të kësaj zone të rëndësishme për biodiversitetin dhe turizmin malor në vend.