Agjencia kundër Korrupsionit gati ta verifikojë edhe pasurinë e mjekëve dhe profesorëve

26.03.2022

Kryetari i AKK-së, Yll Buleshkaj ka theksuar se ky numër mund të pësojë edhe ndryshime, kjo pasiqë sipas tij mund të ndodhin emërime apo shkarkime të ndonjë zyrtari. Ndërkaq, për zyrtarët që nuk deklarojnë pasurinë, drejtori i kësaj agjencie ka thënë se ligji është i qartë, kjo pasiqë mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale, raste […]

Agjencia kundër Korrupsionit gati ta verifikojë edhe pasurinë e mjekëve dhe profesorëve Foto: Ilustrim

Kryetari i AKK-së, Yll Buleshkaj ka theksuar se ky numër mund të pësojë edhe ndryshime, kjo pasiqë sipas tij mund të ndodhin emërime apo shkarkime të ndonjë zyrtari.

Ndërkaq, për zyrtarët që nuk deklarojnë pasurinë, drejtori i kësaj agjencie ka thënë se ligji është i qartë, kjo pasiqë mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale, raste këto që i dërgojnë në prokurori.

“Si zakonisht numri i zyrtarëve të cilët duhet ta deklarojnë pasurinë e që përfshin numrin e gjithë zyrtarëve të lartë është rreth 5 mijë. Këtë vit i kemi rreth 4737 zyrtar të cilët duhet ta bëjnë deklarimin. Ky numër mund të ndryshoj sepse çdo ditë mund të ndodh emërimi apo shkarkimi i ndonjë zyrtari pastaj ndonjë emërim i ri mund ta lëviz këtë numër, poshtë apo ta ul”.

Po ashtu, Buleshkaj ka shtuar se sa i përket deklarimit të pasurisë në vitet e fundit kemi një histori pozitive të deklarimi, ku sipas tij vetëm disa që zakonisht numri ka qenë nën 100 që nuk kanë deklaruar.

“Ne po shpresojmë që të gjithë fillimisht do ta deklarojnë. Në vitet e fundit e kemi një histori pozitive të deklarimit, ku vetëm disa që zakonisht numri ka qenë nën 100 që nuk kanë deklaruar.

Do të thotë ka qenë 2 ose 2 pikë diçka përqind të cilët nuk e kanë deklaru pasurinë. Si do që të jetë ligji është i qartë për ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë. Ata me këtë veprim bëjnë vepër penale, rasti i tyre pas shqyrtimit tonë të brendshëm kalon në prokurori për ndjekje”.

Drejtori i AKK-së, i bëri thirrje zyrtarëve të lartë të cilët janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë,  ngase një lëshim i vogël ose vonim i deklarimit mund të ketë pasoja të mëdha, duke ua pamundësuar kandidimin në pozita të ndryshme.

Ai tha se edhe nëse ndryshon Ligji e kërkohet të bëhet edhe deklarimi i pasurisë së doktorëve e profesorëve, janë të obliguar ta zbatojnë si ligj.

“Ne jemi të obliguar ta zbatojmë ligjin. Në qoftë se ligji thotë që do t’i pranojmë ne gjithsesi që do t’i pranojmë. Sfidat me të cilat do të ballafaqohemi ne do të mundohem t’i kalojmë me përkrahjen e të gjitha institucioneve të cilat janë të thirrura për të na përkrahur. Ne menjëherë po sa të aprovohet ligji do ta bëjmë vlerësim të brendshëm për nevojat shtesë qoftë për staf qoftë për burime të tjera të IT ose çfarë do qofshin ato, apo edhe për hapësira shtesë dhe këto do t’i kërkojmë nga institucionet përgjegjëse”.

Sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarët e AKK-së, Buleshkaj tha se janë të gatshëm vetëm se duhet të ketë vendim nga Kuvendi.

“Ne deklarojmë pasurinë ajo e cila ka mbetur pezull për shkak të vendimit që nuk e ka marr ende Kuvendi i Kosovës është verifikimi i pasurisë të zyrtarëve të AKK-së. Ne e kemi të qartë, pasuria e të gjithë zyrtarëve të cilët kualifikohen për deklarim është publike në uebfaqe, ndërsa procesi i verifikimeve për shkak që ne nuk mund ta verifikojmë pasurinë tonë ajo ka ngecur. Po besoj që kjo do të zgjidhjet, e kam parë edhe disa prononcime që i kanë bërë, komisioni që është përgjegjës për mbikëqyrje të Agjencisë e po besoj që do të gjendet një zgjidhje e mirë. Edhe ne qoftë se na bie shorti apo për ndonjë arsye tjetër vendos komisioni të bëjë verifikimin e të gjithëve, ta kryej atë. Ne jemi të gatshëm si agjenci që të asistojmë”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Si AKK ne kemi qenë të hapur që nga fillimi, që ajo të kryhet sepse është edhe obligim ligjor. Si do që të jetë kjo nuk është kryer për disa vite siç e kemi kuptuar e po besojmë që do të gjendet një zgjidhje. Prap kjo është në dorën e Kuvendit të Kosovës, si institucion përgjegjës për ta bërë verifikimin”.