Abdixhiku shpalos planin 15-pikësh për “Qeverinë e Unitetit Kombëtar”

para 38 dite

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur sot një plan 15-pikësh për formimin e asaj që ai e quajti “Qeveri e Unitetit Kombëtar”.

Abdixhiku shpalos planin 15-pikësh për “Qeverinë e Unitetit Kombëtar”

Ky plan, sipas Abdixhikut, do t’i japë fund bllokadës aktuale politike dhe do të sjellë stabilitet nacional deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Abdixhiku e quajti këtë dokument një “kontratë nderi” dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të tij për të adresuar sfidat aktuale të Kosovës.

Pikat kryesore të planit:

1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese: Pika e parë dhe kyçe është plotësimi i vendeve vakante në të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, për të shmangur paralizimin e saj. Kjo pikë përfshin edhe depolitizimin e institucioneve të pavarura dhe riformatimin e bordeve që i raportojnë Kuvendit.

2. Rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të Pagave: Plani parashikon rritjen e pagave për mësimdhënësit, punonjësit shëndetësorë, ata të sigurisë dhe administratës shtetërore, me qëllim rikthimin e dinjitetit institucional.

3. Paketa emergjente për krizën energjetike: Miratimi i një pakoje urgjente për menaxhimin e krizës energjetike.

4. Nisja e projektit kombëtar të gazifikimit të Kosovës.

5. Rindërtimi i partneritetit dhe rikthimi i politikës së jashtme: Rivendosja e marrëdhënieve të ngushta me BE-në dhe SHBA-në, si dhe kthimi i një politike të jashtme aktive.

6. Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare: Hapja e rrugës për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të bllokuara.

7. Fillimi i procesit të vetingut.

8. Nisja e projekteve me rëndësi të veçantë: Heqja e të gjitha pengesave burokratike për projektet madhore kombëtare, një pikë që sipas LDK-së mund të plotësohet edhe nga partitë e tjera.

9. Reforma kushtetuese për stabilitet institucional: Përcaktimi i qartë i procedurave funksionale për konstituimin e Kuvendit, me synim shmangien e bllokadave institucionale.

10. Reforma në arsim: Hartimi i Strategjisë Kombëtare të Reformës së Thellë në Arsim, përfshirë implementimin e mësimit tërëditor në gjithë Kosovën.

11. Përgatitjet institucionale për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

12. Reformat strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes.

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajsh.

15. Mekanizmi i transparencës: Themelimi i një mekanizmi të posaçëm monitorues për të raportuar çdo tre muaj mbi zbatimin e agjendës qeverisëse.

Etiketat

Ofertat e fundit