Abdixhiku: Kurti po e pengon Osmanin për presidente, vendimin do ta japë populli
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se subjekti që ai drejton nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Foto: Ilustrim
Abdixhiku ka ngritur dilema lidhur me qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti ndaj kandidaturës së Vjosa Osmanit, duke thënë se nuk është e qartë pse ai nuk e mbështet atë për presidente. Sipas tij, Kurti duhet të sqarojë nëse i ka pasur votat për ta zgjedhur Osmanin në këtë post.
“Po na çudit pse nuk po ka dëshirë që Vjosa Osmani të jetë presidente. Duhet të tregojë nëse i ka pasur votat. Ndoshta nuk dëshiron zgjedhje, por unë besoj se populli i Kosovës do të vendosë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai reagoi edhe ndaj kërkesave për nënshkrime, duke theksuar se ato nuk dorëzohen te Lëvizja Vetëvendosje, pasi sipas tij, ky subjekt nuk është institucion përgjegjës për një proces të tillë. Abdixhiku shtoi se nëse bëhej fjalë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, atëherë situata do të ishte ndryshe.
Në fund, ai theksoi se mungesa e dialogut mes partive politike e bën shumë të vështirë arritjen e një koordinimi në momentet e fundit për çështje të rëndësishme si zgjedhja e presidentit.
