Abdixhiku: Kosova, vendi më i varfër në Evropë, po i afrohet një miliard eurove import të rrymës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj siç i quan ai, aferave energjetike që po e dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit.
Ai tha se ndërsa një pjesë e skenës politike po merret me “tema të parëndësishme”, dy zyrtare të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Janina Stublla, po e ngritin zërin për atë që ai e përshkruan si “skandalin e madh të mafias energjetike”, me Vuk Hamovićin në krye të zinxhirit të përfitimeve.
Sipas Abdixhikut, në konferencën e sotme të partisë, dy deputetet kanë shpalosur me detaje të dhënat që tregojnë përmasat e asaj që LDK e konsideron aferën më të rëndë ekonomike të viteve të fundit.
“Ky skandal duhet të jetë shqetësimi i sotëm politik; jo fyerjet që nuk sjellin asgjë”, theksoi Abdixhiku.
Ai deklaroi se gjatë pesë viteve të qeverisjes aktuale, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 811 milionë eurosh, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025, sipas tij, janë shpenzuar 247 milionë euro për import të rrymës. Në total, ai paralajmëron se vendi po i afrohet shifrës 1 miliard euro të shpenzuara për energji të importuar.
“Po i afrohemi një miliard eurove import të rrymës; vendi më i varfër në Evropë. Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se kjo shumë e madhe parash, sipas tij, është derdhur në një “skemë të errët e të pafalshme”, ku humbësi është qytetari i Kosovës, ndërsa fiton ajo që ai e quan “mafia energjetike”.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij po e ngre këtë çështje me vendosmëri dhe se nuk do të tërhiqet nga kthjellimi i opinionit publik për atë që ai e përshkruan si dëm kolosal ekonomik.
“LDK po e ngrit këtë çështje me guxim. LDK po e mbron interesin publik. Sepse Kosova meriton dritë, jo errësirën e aferave të tyre”, përfundoi Abdixhiku.