80-vjetori i lindjes, Osmani vendos lule te shtatorja e Rugovës

para 44 dite

Në përvjetorin e 80-të të lindjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani nderoi kujtimin e tij duke vendosur lule te shtatorja në Prishtinë.

80-vjetori i lindjes, Osmani vendos lule te shtatorja e Rugovës

Presidentja Osmani vlerësoi Rugovën si një figurë të shquar që mishëroi guximin, urtësinë dhe ëndrrën e popullit për një shtet të pavarur. Ajo theksoi se Rugova hodhi themelet e një Kosove të lirë dhe sovrane, duke i formësuar ato mbi baza të paqes, dinjitetit dhe qëndresës kombëtare.

“Emri i Rugovës shkëlqen në historinë e shtetit tonë si simbol i unitetit dhe vizionit për një të ardhme më të mirë,” tha Osmani. Ajo kujtoi kontributin e Rugovës në udhëheqjen e Kosovës gjatë momenteve më të vështira, duke frymëzuar brezat për të qëndruar të bashkuar në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi. Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë”, ka thënë më tej presidentja Osmani.

Etiketat

Ofertat e fundit