Katër vite “Qeveria Kurti 2”, më dy dhjetor debat parlamentar

25.11.2024

Qeveria e Albin Kurtit do të jetë në qendër të vëmendjes së Kuvendit të Kosovës të hënën, ku do të zhvillohet një debat i gjërë për rezultatet e mandatit të saj katërvjeçar.

Kërkesa për këtë debat ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila e konsideron të rëndësishme që qeveria të japë llogari për punën e saj. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se ky debat është një mundësi për kryeministrin Kurti që të tregojë rezultatet e premtimeve të tij elektorale.

“Për një mandat asnjë projekt nuk është përmbyll. Në qoftë se ikë edhe prej këtij debati ai e merr barrën e dështimit,” ka thënë Tahiri.

Kërkesën e AAK-së e ka përkrahur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila është e gatshme të diskutojë me qeverinë për të gjitha çështjet e rëndësishme për vendin.

“Do të ketë disa seanca. Seanca e ditës së hënë ku do të diskutohet qeverisja e Kurtit. Ne si GP i dhamë përkrahje AAK dhe jemi të gatshëm për diskutim me kryeministrin dhe ministrat e tij”, ka thënë shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, ka konfirmuar se debati do të mbahet siç është planifikuar. Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kërkesa e opozitës për këtë debat është bërë që në mars të këtij viti.

“Sot opozita e kërkoj një finalizim të datës dhe kjo datë u caktua 2 dhjetori,” ka deklaruar Kusari-Lila.

Ky debat pritet të jetë një përballje e ashpër mes opozitës dhe qeverisë, ku secila palë do të përpiqet të paraqesë argumentet e veta për të bindur opinionin publik.