35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën

23.12.2024

Në përvjetorin e 35-të të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe bashkëpartiakë të tjerë bënë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Ky akt simbolik shënoi kujtimin e datës historike, 23 dhjetor 1989, kur LDK u themelua.

“Sot kujtojmë 23 dhjetorin e vitit 1989, datë që para 35 vjetësh intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci,” tha Abdixhiku. “Themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në krye të saj vendosën arkitektin e vetë Kosovës, presidentin historik Ibrahim Rugova, të cilin sot e nderuam.”

Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë e rikujtimit të momenteve historike për të frymëzuar brezat e ardhshëm dhe për të krijuar momentum të ri politik.

“Kosova ka nevojë të rikujtojë momentet e lavdishme të së kaluarës për të ndërtuar të ardhmen. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe të krijojmë momente të reja për vendin tonë,” u shpreh ai.