32 ligje janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese gjatë kësaj legjislature
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencë për media gjatë së cilës shpalosi raportin analitik mbi performancën e Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI, tha se katër vitet e kësaj Legjislature janë shoqëruar me një seri mundësish të humbura dhe një mungesë të përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve. Pavarësisht miratimit të 282 ligjeve, legjislatura ka hasur në shumë sfida që kanë penguar efikasitetin e saj.
Ajo theksoi se zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ato në pjesën veriore, kanë ndikuar në masë të madhe dinamikat brenda Kuvendit. Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe në nëntor 2022, pas muajsh bojkotimesh, e la komunitetin serb në Kosovë pa përfaqësim në Kuvend dhe pamundësoi miratimin e ligjeve që kërkonin shumicën e dyfishtë.
“Për të njëjtën arsye nuk arritën të miratohen as tri propozim-amendamentet kushtetuese për zhvillimin e procesit të vetingut në drejtësi. Lidhur me këtë, partia në pushtet nuk prezantoi ndonjë alternativë tjetër, duke e lënë këtë çështje pa ndonjë epilog.
Gjatë mandatit të plotë të kësaj Legjislature, Kuvendi përmbushi mesatarisht 36% të planit legjislativ, duke mos arritur asnjëherë të realizojë as gjysmën e planit të tij legjislativ vjetor. Në anën tjetër, 154 projektligje apo 21% e legjislacionit, nuk arritën të iu shpërndahen asnjëherë deputetëve edhe pse ishin në planet e punës së komisioneve, për shkak se Qeveria nuk i solli draftet në Kuvend.
Në aspekt të numrit të ligjeve të miratuara, në këtë Legjislaturë u miratuan gjithsej 282 Ligje, prej tyre 205 Ligje të brendshme që rregullojnë fusha të ndryshme dhe 77 Marrëveshje ndërkombëtare që përbëjnë 27% të legjislacionit të miratuar gjatë kësaj Legjislature. 32 ligje të miratuara u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese, prej të cilave 3 ligje u shpallën të pavlefshme dhe 3 të tjera pjesërisht në përputhje me Kushtetutën.
Sa i përket përfshirjes qytetare në procesin ligjvënës, 77 dëgjime publike për 63 Projektligje, të cilat u organizuan nga Kuvendi përbëjnë vetëm 31% të legjislacionit, në të cilin kishte përfshirje publike.
Në fund të Legjislaturës, 41 Projektligje mbetën në procedurë, 17 prej të cilave kaluan shqyrtimin e parë në Kuvend, ndërsa 24 arritën vetëm tu shpërndahen deputetëve. Kjo Legjislature la pa ratifikuar 9 marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme për përmirësimin e sektorëve kyç si energjia, shëndetësia, dhe arsimi.