“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut”, Kurti njofton për zgjerimin e Telekomit në veri

12.03.2024

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuar se Telekomi i Kosovës ka zgjeruar shtrirjen në veri, duke instaluar edhe 15 stacione të reja.

“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut”, Kurti njofton për zgjerimin e Telekomit në veri Foto: Ilustrim

Kurti derisa ka publikuar disa fotografi nga fshati Çabër i Zubin Potokut, ka theksuar se shpejtësia e internetit është 140 Mpbs, transmeton Telegrafi.

“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut. U bë zëvendësimi në stacionin bazë të transmetimit, me kalimin në teknologjinë Ericsson nga ajo Alcatel. Për një montim të këtillë dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin. Tash, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë. Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, kryeministri ka shkruar se komunikimet elektronike janë e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të cilat Telekomi i Kosovës i bën mundësi dhe garanci për qytetarët.

“Vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G. Vala në çdo cep të shtetit, në çdo vend të Republikës”, thotë mes tjerash ai.

Tutje, kryeministri thotë se kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës.

“Me kryeshefen e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarët e Bordit dhe Sindikatës, Shpëtim Dobra dhe Lamih Balaj, drejtorin teknik, Halil Krasniqin, dhe inxhinierë e punëtorë të tjerë ishim sot në Çabër. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës: të jenë në shërbim të Republikës e të publikut dhe jo të oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit të Kosovës”.