1 Maji i gjen punëtorët në Kosovë në gjendje jo të mirë

30.04.2021

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. […]

1 Maji i gjen punëtorët në Kosovë në gjendje jo të mirë Foto: Ilustrim

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Ndërsa kjo ditë punëtorët në Kosovë po i gjen në gjendje jo të mirë, me disa probleme kryesore.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini për RadioKosovën ka thënë se janë disa probleme kryesore të punëtorëve, ku së pari është moszbatimi i ligjit të punës, kushte jo të mira të punës dhe paga minimale e ulët.

Sipas Ajdinit probleme tjera kryesore që punëtorët po përballen çdo ditë janë edhe mungesa e kontratave të punës, mos respektimi i tyre, puna me orar të tej-zgjatur, po ashtu pagat e ulta si dhe siguria jo e duhur në punë, ku shton se kjo ditë po i gjen punëtorët e shkelje të shumta të të drejtave të tyre.

Po ashtu ai ka shtuar se të punësuarit në sektorin privat janë më të diskriminuarit.

“Punëtorët 1 Maji po i gjenë të diskriminuar. Ende nuk ka asnjë hap pozitiv për realizimin e të drejtave të punëtorëve, sigurin në punë, por edhe sigurimin shëndetësorë, edhe pse BSPK është angazhuar në maksimum që madje një hap pozitiv të hidhet për të mirën e punëtorëve duke e ngritur pagën minimale apo duke e respektuar marrëveshjen kolektive”, tha ai.

Sipas tij, gratë punëtore janë më të diskriminuara dhe ndodhë të largohen nga puna kur punëdhënësit kuptojnë se ato janë shtatëzënë. Për kreun e BSPK-së, ngritja e pagës minimale është mëse e nevojshme.

“Sa i përket pagës minimale, kryeministri i tanishëm ka premtuar që kjo të jetë 250 euro. Unë besoj se kjo duhet të realizohet, deri në fund të vitit, edhe pse ne kemi kërkuar që në bazë të standardit jetësorë paga minimale të jetë 350 euro”, tha Ajdini.

Kujtojmë se më 1 maj të vitit 1885 ishte kërkesa e parë publike e paraqitur në Australi me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.