​Rreth 1 mijë nxënës braktisën shkollimin, 1,298 mësimdhënës më tepër se sa nevojiten në shkolla

18.04.2022

Qindra nxënës braktisën shkollimin vetëm gjatë vitit të kaluar. Sipas disa të dhënave bëhet e ditur se 109 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar, ndërsa në po të njëjtën periudhë kohore 883 nxënës të shkollave të mesme e braktisën shkollimin. Si pasojë e kësaj fenomeni […]

​Rreth 1 mijë nxënës braktisën shkollimin, 1,298 mësimdhënës më tepër se sa nevojiten në shkolla Foto: Ilustrim

Qindra nxënës braktisën shkollimin vetëm gjatë vitit të kaluar.

Sipas disa të dhënave bëhet e ditur se 109 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar, ndërsa në po të njëjtën periudhë kohore 883 nxënës të shkollave të mesme e braktisën shkollimin.

Si pasojë e kësaj fenomeni të braktisjes së shkollimit, ka bërë që rreth 1300 mësimdhënës të jenë më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se do t’i rekomandojë komunave të vendit që të kenë kujdes me zëvendësimin e mësimdhënësve që dalin në pension, kështu duke risistemuar ata që aktualisht janë të punësuar.

Janë rreth 400-500 mësimdhënës të cilët gjatë vitit pensionohen, për të cilët edhe njohësit e fushës së arsimit, thonë se zgjidhja më e duhur do të ishte risistemimi i atyre që janë të inkuadruar në sistemin arsimor.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për KosovaPress, se edhe vitin e kaluar ka pasur tepricë të mësimdhënësve, por siç thotë ai, për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve duhet punuar me klasa të vogla.

“Është konstatuar se për këtë vit teprica është 1298 mësimdhënës dhe kjo është një situatë të cilën e kemi gjetur nëpër shkolla. Ndërkaq është e vërtetë se kjo tepricë vitin tjetër rritet për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve… Zakonisht në shkolla për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve punohet me klasa më të vogla, shembull nëse formohet një klasë me 30 nxënës, formohen dy klasë me nga 15 nxënës, dhe kjo pastaj bënë të mundur që ky numër i mësimdhënësve të mbetet në sistem”, theksoi Pupovci.

Pupovci ka folur edhe për adresimin e këtij problemi, duke thënë se që nga viti i ardhshëm do t’i kërkojnë komunave që të mos t’i zëvendësojnë mësimdhënësit e pensionuar pa një analizë të mirëfilltë.

“Duke filluar nga viti i ardhshëm, ne thjesht do t’iu kërkojmë komunave që të mos i zëvendësojnë pa një analizë të mirëfilltë mësimdhënësit, të cilët pensionohen, në mënyrë që të mos i dëmtoj ata që janë në sistem. Pastaj ideja është që të fillojë pagesa e orëve të kujdestarisë, ku tani llogaritet se me numër të orëve, rreth 447 mësimdhënës angazhohen me orar të plotë. Ata nuk mbajnë kujdestarinë me orar të plotë, mirëpo në këtë formë iu plotësohet norma njerëzve të cilët nuk e kanë normën, dhe një formë tjetër është ideja për futjen e menaxhmentit të mesëm nëpër shkolla, ku mësimdhënësit do të angazhohen në cilësinë e kryetarëve të aktiveve dhe një numër i orëve të tyre do t’iu dedikohen ushtrimit të funksionit të kryetarit të aktivit, pra edhe kjo do t’i prekë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve dhe në këtë mënyrë mund të arrihet një harmonizim në mes të numrit të nxënësve, i cili është në zvogëlim dhe numrit të mësimdhënësve, i cili është duke u ruajtur në nivelet e viteve të kaluara”, thotë Pupovci.

Ai thotë se nuk është e domosdoshme që mësimdhënësit që pensionohen gjatë vitit, të zëvendësohen me të rinj, pasi mund të bëhet riorganizimi i klasave.

Pupovci ka shtuar se sipas të gjitha projeksioneve të popullsisë, numri i nxënësve do të vazhdojë të zvogëlohet, dhe se mundësitë e punësimeve të reja në sistemimin e arsimit do të jenë të kufizuara.

“Sipas të gjitha projeksioneve të popullsisë, numri i nxënësve do të vazhdon të zvogëlohet dhe në një afat të gjatë duhet llogaritur se mundësitë e punësimeve të reja në sistemin e arsimit do të jenë relativisht të kufizuara, pra duhet të mbështetemi në këtë që me rastin e pensionimit, zëvendësimet të bëhen vetëm në ato raste kur ka nevojë”, tha ai.

Sipas tij, braktisja më e dëmshme është kur fëmijët braktisin shkollimin e detyruar./KosovaPress/