Suharekë, shitja e mjeteve piroteknike vetëm në hapsirën publike të Muzeut të Qytetit
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i komunës së Suharekës ka mbajtur takimin e tij të fundit për vitin 2024, ku në fokus të diskutimeve ishte siguria gjatë festave të fundvitit, veçanërisht lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike.
Anëtarët e KKSB-së, me në krye kryetarin e komunës, z. Bali Muharremaj, kanë miratuar një plan veprimi për vitin 2025 dhe kanë diskutuar rreth masave që do të ndërmerren për të siguruar që festat të kalojnë në mënyrë sa më paqësore.
Një pikë e rëndësishme e diskutimit ka qenë përdorimi i mjeteve piroteknike. U vendos që shitja e tyre të lejohet vetëm në një vend të caktuar, në hapsirën publike të Muzeut të Qytetit, dhe vetëm gjatë një periudhe të kufizuar, nga data 24 dhjetor 2024 deri më 3 janar 2025. Kjo masë ka për qëllim të kontrollojë më mirë shitjen dhe përdorimin e mjeteve piroteknike dhe të parandalojë incidente të padëshiruara.
Po ashtu, KKSB-ja ka theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, për rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike. Komandanti i stacionit policor në Suharekë, kapiten Afrim Sylaj, ka njoftuar se policia ka hartuar një plan operativ për festat e fundvitit dhe se do të intensifikojë kontrollet për të parandaluar çdo veprim që mund të cënojë rendin dhe sigurinë publike.
Përveç kësaj, policia do të vazhdojë me fushatën për ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përdorimit të substancave narkotike.
“Bëjmë thirrje te të gjithë qytetarët që të festojnë me përgjegjësi dhe të respektojnë ligjin. Le të kemi të gjithë një fundvit të qetë dhe të sigurt,” ka thënë kryetari Muharremaj.