Itali, vrau 26-vjeçaren shtatzënë, dënohet me burgim të përjetshëm Bujar Fandaj nga Suhareka

09.07.2025

Gjykata e Assise-s në Treviso ka dënuar me burgim të përjetshëm Bujar Fandajn.

40-vjeçari me origjinë nga Peqani, pranoi se ka vrarë Vanessa Ballan, 26-vjeçe dhe shtatzënë në muajt e parë, më 19 dhjetor 2023.

Vendimi u dha pas dy orësh këshillimi nga trupi gjykues dhe u shoqërua me emocione të forta në sallën e gjyqit, veçanërisht nga prindërit e viktimës dhe partneri i saj, Nicola, i cili ndodhej gjithashtu në sallë. Vanessa ishte në pritje të një fëmije nga ai në momentin e krimit.

Fandaj, i mbrojtur nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli, e ndoqi seancën në heshtje dhe më pas u rikthye në burg. Mbrojtja kishte kërkuar që të mos konsiderohej si krimi i paramenduar, por argumentet nuk u morën parasysh nga gjykata, e cila vendosi dënimin maksimal.

“Nuk e prisnim këtë lloj vendimi, edhe për faktin se prokuroria vetë nuk kishte kërkuar një dënim kaq të rëndë. Gjykata shkoi përtej kërkesave të saj”, deklaruan avokatet mbrojtëse, të cilat paralajmëruan se mund të kërkojnë apel sapo të kenë në dorë arsyetimin e plotë të vendimit.

Nga ana tjetër, avokati i familjes Ballan, Simone Guglielmin, u shpreh i bindur për drejtësinë e vendimit.

“Besoj se është një vendim i drejtë që vjen pas një procesi të drejtë. Ne si palë civile nuk kërkuam një dënim të caktuar, por e konsiderojmë se argumentet tona për ekzistencën e parapërgatitjes së krimit u pranuan nga gjykata”, tha ai.

Marrëdhënia ishte mbyllur keq, aq sa ajo kishte pranuar se ndihej e frikësuar prej tij dhe e kishte denoncuar për përndjekje.

Fandaj, i cili punonte si korrier, shkoi me furgonin e punës në shtëpinë e viktimës në Spineda, në Riese Pio X. Një moment që mbërriti përballë shtëpisë, u fut me forcë duke thyer me çekiç një derë prej xhami.

26-vjeçaren e gjeti ende me pizhame, e dhunoi fizikisht më pas e goditi me thikë dhe e la përtokë, të mbuluar nga gjaku.

Më pas hipi në furgon duke u arratisur për disa orë, derisa u arrestua.