Specialja rifillon punën pas pushimit veror, sot mbahet konferencë për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

19.08.2025

Gjykata Speciale në Hagë është rikthyer në punë pas pushimit veror dhe sot pritet të mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen në rastin e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ky proces do të vazhdojë me intensitet në muajt në vijim, pasi vetëm në shtator janë planifikuar 10 seanca, ndërsa në tetor dy të tjera.

Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Skënder Musa, ka deklaruar se dëshmitarët që pritet të paraqiten do të jenë vendimtarë për rrjedhën e gjykimit. Ai ka theksuar se dëshmitë e tyre do të rrëzojnë pretendimet dhe provat e cilësuara prej tij si “të falsifikuara nga Serbia”.
“Këta dëshmitarë natyrisht që pres që kanë me i shkatërrua të gjitha pretendimet, të gjitha provat e falsifikuara nga Serbia dhe të gjithë dëshmitarët e bashkëpunëtorët e Serbisë që kanë rrejshëm në Tribunalin e Hagës”, u shpreh Musa për RTK, duke shtuar se nuk mund të krahasohen dëshmitë e diplomatëve ndërkombëtarë apo zyrtarëve perëndimorë me rrëfime për “humbje lopësh apo pasurie gjatë luftës”.

Ndërkohë, procesi është cilësuar si i stërzgjatur dhe i mbyllur për publikun nga monitoruesi i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija. Ai ka theksuar se publiku dhe monitoruesit kanë shumë pak informacione rreth ecurisë së seancave.
“Trupi gjykues duhet ta ketë parasysh që të njëjtit që një kohë të gjatë janë duke qëndruar në paraburgim dhe duhet të merren masa që ky proces të përshpejtohet dhe sa më shpejt të kemi një vendim të shkallës së parë”, ka thënë Alija. Ai shtoi se meqë të gjithë dëshmitarët e prokurorisë janë dëgjuar tashmë dhe provat materiale janë administruar, kushtet për paraburgimin e mëtejshëm praktikisht nuk ekzistojnë më.

Javën e kaluar, Apeli i refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Po ashtu, u raportua se prokuroria ka kërkuar nga gjykata që t’i ndalojë ish-presidentit Hashim Thaçi vizitat nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, me arsyetimin se ata po e informojnë për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.

Pushimi veror në Dhomat e Specializuara nisi më 28 korrik dhe përfundoi më 15 gusht 2025. Gjatë kësaj periudhe nuk u mbajtën seanca, ndërsa disa shërbime jothelbësore funksionuan në kapacitet minimal. Megjithatë, gjykata mbeti funksionale për çështjet administrative dhe palët patën mundësi të paraqesin parashtrime. Afatet gjyqësore vazhduan të jenë në fuqi, përveç rasteve kur gjykatësit vendosën ndryshe.