Specialja kërkon kufizime të reja në vizitat për Hashim Thaçin, përfshirë ndalimin e takimeve me tre vëllezërit
Për më shumë se një vit e gjysmë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet nën regjim të kufizuar vizitash në paraburgim.
Foto: Ilustrim
Aktualisht, ai mund të ketë vetëm pesë takime në muaj me miq apo të afërm, përveç kontakteve me familjen e ngushtë, ndërsa është nën përgjim të vazhdueshëm 24-orësh me përkthyes shqiptar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar masa shtesë, duke propozuar ndalimin e plotë të vizitave nga tre vëllezërit e tij – Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi. Këta janë përfshirë në një listë prej 14 personash, për të cilët prokuroria synon t’i largojë përkohësisht nga kontakti me të, deri në përfundim të gjykimeve për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Sipas dokumenteve, ZPS argumenton se ekziston rreziku i përcjelljes së mesazheve të palejuara gjatë vizitave, duke iu referuar edhe një paraqitjeje të Thaçit në një thirrje me video me të akuzuarin Haxhi Shala në shkurt 2025.
Mbrojtja e Thaçit e ka kundërshtuar kërkesën, duke e cilësuar të pabazuar dhe pa fakte të reja krahasuar me masat e vendosura në nëntor 2023. Avokatja Sophie Menegon thekson se vetëm pesë nga 14 personat e listës, përfshirë vëllezërit, e kanë vizituar klientin e saj pas vendosjes së masave aktuale, ndërsa dy prej tyre janë përfshirë në takime që kanë pasur karakter të përgjithshëm ose profesional.
Një nga vizitorët e përmendur është mik i familjes, ndërsa tjetri është pjesë e ekipit mbrojtës dhe ka zhvilluar vetëm vizita të privilegjuara, të autorizuara për shkëmbim informacioni konfidencial.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka kërkuar të dhëna shtesë nga mbrojtja për një prej personave të listës, para se të marrë vendim përfundimtar mbi kërkesën e ZPS. Në listë figurojnë edhe Artan Behrami dhe Vllaznim Kryeziu, të cilët përmenden në aktakuzën e dytë të Thaçit për tentim-pengim të drejtësisë.