Prizren, Gjykata cakton një muaj paraburgim për të pandehurin e kapur me mbi 4 kg kokainë
Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Gjykata ka vendosur sot caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj H.K., i arrestuar më 12 gusht me mbi 4 kilogramë kokainë, sasia e së cilës në tregun ilegal vlerësohet rreth 300 mijë euro.
Foto: Ilustrim
Në vendimin e saj, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, sasinë e madhe të narkotikëve të sekuestruar dhe të kaluarën kriminale të të pandehurit, i cili më herët është dënuar për vepra të ngjashme. Sipas arsyetimit, lënia e tij në liri do të paraqiste rrezik arratisjeje dhe përsëritjeje të veprës penale.
Gjatë bastisjes në banesën e tij në rrugën “William Walker” në Prizren, policia gjeti dhe sekuestroi:
- 3.3 kg kokainë në formë tullash të mbështjella me foli dhe qese
- 1 kg kokainë me mbetje të saj
- 19 qese me gjithsej 1.1 kg kokainë
- 133 qese najloni me 36,62 gram kokainë
- një qese me 0,32 gram kokainë
- dy peshore digjitale, pajisje për vakumim, një motoçikletë “Piaggio Vespa” dhe një telefon “iPhone 15 Pro Max”
- para në vlerë prej 260 euro dhe mjete për paketim
Gjykata ka theksuar se masa e paraburgimit është më e përshtatshmja në këtë fazë për të siguruar prezencën e të pandehurit gjatë hetimeve dhe për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.