Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

17.04.2025

Në seancën e parë gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, e cila u mbajt sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokati i familjes së rreshterit të ndjerë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit e pranishëm në sallë.

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, në fillim të seancës, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e rënda që rëndojnë mbi ta, përfshirë terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Avokati Koci, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të të akuzuarve gjatë procesit, por në fund kërkoi dënimin maksimal të mundshëm. “Jepuani të gjitha të drejtat që ju takojnë të akuzuarve dhe avokatëve – veç në fund dënoni me burgim të përjetshëm,” deklaroi ai.

Po ashtu, avokati i policit të plagosur Alban Rashiti, Naim Rudari, mbështeti provat e paraqitura nga prokuroria, duke e cilësuar sulmin si më të rëndin në Kosovë pas luftës. Ai shprehu keqardhjen për humbjen e jetës së Afrim Bunjakut dhe plagosjen e policëve të tjerë, duke theksuar se i gjithë trupi i Policisë së Kosovës është i lënduar nga ky akt.

“Kërkoj nga trupi gjykues që, përfundimisht, tre të akuzuarit prezent të marrin dënimin e merituar, e që shpresoj të jetë aspak ndryshe përveç se i përjetshëm,” u shpreh avokati Rudari.

Në seancën përgatitore të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë. Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit të ndodhur në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke rezultuar me vrasjen e rreshterit Bunjaku dhe vrasjen e tre sulmuesve në shkëmbimin e zjarrit.

Prokurori special Naim Abazi, në fjalën hyrëse të sotshme, tha se përmes provave video do të dëshmohet se sulmi ishte i planifikuar dhe se grupi ishte i mirëorganizuar. Ai gjithashtu theksoi dëmtimet e shkaktuara në shtëpitë e banorëve të zonës gjatë sulmit. Prokuroria njoftoi se Tolliq ishte kapur me armë ushtarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u prezantuan fotografi me të akuzuar të tjerë të rastit.

Avokatët e familjes Bunjaku dhe të dëmtuarve Rashiti dhe Dushi shprehën mbështetjen e tyre për fjalën hyrëse të prokurorit.

Gjatë seancës, trupi gjykues mori vendim për të larguar nga salla njërin nga hetuesit e rastit, Jeton Jetullahun, me arsyetimin se ai mund të thirret si dëshmitar në vazhdim.

Aktakuza për këtë rast përfshin 45 persona dhe u ngrit nga Prokuroria Speciale në shtator të vitit 2024, duke i akuzuar ata për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Shumica e të akuzuarve, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, ndodhen në arrati. Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë si një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron prapa tij.

Në aktakuzë, njëri nga tre të akuzuarit në paraburgim ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Një tjetër ka deklaruar se ishte takuar me persona të tjerë të akuzuar në Rashkë dhe më pas kishin shkuar në Banjskë, ku ishin pajisur me uniforma dhe armatim. Ai ka pretenduar se i ishte thënë se do të bëhej një protestë paqësore, por pasi kishte marrë uniformën dhe armët, kishte kuptuar se diçka nuk ishte në rregull, por ishte detyruar t’u bindej urdhrave. Ai ka deklaruar se nuk ka shtënë me armë dhe më vonë i është dorëzuar policisë. Ai gjithashtu ka përmendur ardhjen e rreth dhjetë veturave nga Serbia me rreth 50 persona.

Prokuroria kishte kërkuar që gjykimi të niste edhe për të akuzuarit në arrati, por avokatët mbrojtës kundërshtuan këtë kërkesë. Gjykata Supreme ka konstatuar se kjo është një çështje diskrecionale e gjyqtarit, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur besohet se ndodhen të lirë në Serbi.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, duke pretenduar se synimi i grupit ishte shkëputja e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Millan Radoiçiq identifikohet si lider i grupit.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin si akt terrorist, ndërsa Serbia ka mohuar çdo përfshirje. Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Etiketat

Ofertat e fundit