Gjykata Speciale ul dënimin për Pjetër Shalën nga 18 në 13 vjet burgim
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka shpallur aktgjykimin për çështjen ndaj Pjetër Shalës, duke e ulur dënimin e tij nga 18 në 13 vjet burgim.
Paneli ka rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së paraqitur nga mbrojtja, por ka konstatuar disa shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë.
Shpallja e vendimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, së bashku me gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Gjyqtari Ambos deklaroi se Shala ishte shpallur fajtor për krime lufte, përkatësisht për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa është shpallur i pafajshëm për akuzën e trajtimit mizor.
Ky është vendimi i shkallës së dytë ndaj Shalës, pas ankesës së bërë kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila në korrik të vitit 2023 e kishte dënuar atë me 18 vjet burgim.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer ndaj së paku 18 personave, në periudhën mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës. Seancat e Apelit për këtë rast u mbajtën më 15 dhe 16 maj të këtij viti. Mbrojtja kishte kërkuar lirimin e Shalës ose rigjykim të çështjes, ndërsa Prokuroria kishte argumentuar se vendimi i shkallës së parë ishte marrë në mënyrë të drejtë.