Gjykata Speciale pranon dëshmitë e dy dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, njëri nën masa mbrojtëse

04.04.2025

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Trupi gjykues ka marrë vendim për pranimin e disa deklaratave të dy dëshmitarëve me kode W02172 dhe W04858. Për dëshmitarin e fundit, me propozim të Prokurorisë Speciale (ZPS), janë vendosur edhe masa mbrojtëse.

Vendimi, i marrë më 2 prill 2025 dhe i publikuar të njëjtën ditë, shfuqizon vendimet e mëparshme të trupit gjykues. Më 13 dhjetor 2024 dhe 14 shkurt 2025, gjykata kishte shtyrë vendimin për pranimin e deklaratave të dëshmitarit W04858 dhe kishte refuzuar pranimin e dëshmisë së W02172.

Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, ZPS kishte bërë një kërkesë të ngjashme më 7 mars 2025, ku përveç pranimit të dëshmisë së W04858, kishte kërkuar edhe masa mbrojtëse për të. Ekipet mbrojtëse kishin paraqitur përgjigjet e tyre më 19 mars, ndërsa kundërpërgjigja e ZPS-së ishte dorëzuar më 24 mars. Në të njëjtën ditë, mbrojtja kishte kërkuar pranimin e një deklarate shtesë për dëshmitarin W02172, kërkesë kjo që u pranua nga trupi gjykues.

Në kërkesën e saj, ZPS kishte theksuar se gjyqtaret kishin konstatuar më parë se provat në lidhje me dëshmitarin W02172 janë të rëndësishme dhe autentike. Megjithatë, pranimi i tyre ishte refuzuar në bazë të rregullës 153, me arsyetimin se do të kishin efekt më shumë dëmtues sesa vlerë provuese.

Vendimi i fundit sqaron se intervista e dëshmitarit W02172 lidhej me persona të dyshuar për ndalim në objektin e paraburgimit në Llapashticë dhe me ndërveprimet e dëshmitarit me anëtarë të ndryshëm të UÇK-së. ZPS kishte argumentuar se pas redaktimeve të bëra në material, vlera provuese e deklaratës nuk kishte më efekt të dëmshëm dhe duhej të pranohej sipas rregullës 153.

Mbrojtja kishte kundërshtuar pranimin e kësaj deklarate, duke argumentuar se rrëfimet e W02172 mbi strukturën e UÇK-së dhe politikën e supozuar të saj për ndëshkimin e bashkëpunëtorëve përbënin elemente inkriminuese dhe ishin të mospërputhshme me dëshminë e tij lidhur me të njëjtën çështje.

Megjithatë, trupi gjykues ka ripohuar se provat e propozuara të dëshmitarit W02172 janë autentike, ashtu siç ishte konstatuar në vendimin paraprak. Sipas tyre, provat e reja plotësojnë deklaratat e mëparshme të dëshmitarit, duke ofruar korrigjime dhe sqarime të rëndësishme. Gjithashtu, është konstatuar se këto prova mbështeten edhe nga dëshmitarë të tjerë, të cilët mbrojtja ka pasur mundësinë t’i ballafaqojë, duke konfirmuar vlerën e tyre provuese. Trupi gjykues ka theksuar se janë bërë redaktime e kërkuara në vendimet e mëparshme.

Sa i përket dëshmitarit W04858, trupi gjykues kishte shtyrë vendimin fillimisht për shkak të mungesës së nënshkrimit, megjithëse dëshmia e tij ishte vlerësuar si relevante, autentike, me vlerë provuese dhe jo paragjykuese. Pasi dëshmitari ka nënshkruar deklaratën dhe një dokument me korrigjime, ZPS kërkoi sërish pranimin e kësaj dëshmie si provë materiale dhe propozoi vendosjen e masave mbrojtëse.

Paneli gjykues ka konstatuar se kërkesat sipas rregullës përkatëse janë përmbushur dhe provat që lidhen me dëshminë e dëshmitarit W04858 janë të pranueshme.

Në lidhje me masat mbrojtëse për dëshmitarin W04858, trupi gjykues ka vlerësuar se ato janë të domosdoshme për të mbrojtur dëshmitarin dhe familjen e tij. Si shembull për vendosjen e këtyre masave, gjykata ka marrë parasysh klimën e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.

Ky vendim i fundit shënon një hap përpara në procesin gjyqësor, duke pranuar prova të reja që mund të jenë thelbësore për zbardhjen e ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë së të akuzuarve.