Gjykata Speciale miraton pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes, cakton datat e reja për çështjen
Më 2 korrik 2025, Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e përbashkët të Mbrojtjes për të ndryshuar orarin e rishikuar të gjykimit, i cili ishte vendosur më 5 qershor të këtij viti.
Në vendimin e marrë, Trupi Gjykues ka aprovuar një shtyrje të shkurtër të Konferencës Përgatitore të Mbrojtjes, e cila tani do të mbahet më 19 gusht 2025. Megjithatë, kërkesa e Mbrojtjes për të zgjatur afatin për dorëzimin e listave të dëshmitarëve dhe provave u hodh poshtë.
“Trupi Gjykues theksoi se Mbrojtja duhet të njoftojë Trupin Gjykues deri më 16 korrik 2025 nëse synon të dorëzojë provat e veta dhe informoi palët se çështja e parë e Mbrojtjes duhet të jetë gati të fillojë një javë pas Konferencës Përgatitore të Mbrojtjes,” thuhet në njoftimin zyrtar të Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, u bë e ditur se Trupi Gjykues ka caktuar një konferencë për ecurinë e çështjes më 22 korrik 2025 (e martë), në orën 14:00, në vazhdën e përgatitjeve për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor.