Gjykata Kushtetuese publikon aktgjykimin e plotë për konstituimin e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë publik aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke sqaruar afatet dhe detyrimet kushtetuese që burojnë nga ky proces.
Foto: Ilustrim
Në aktgjykim theksohet se, sipas nenit 66 të Kushtetutës, Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbyllet me sukses brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata nënvizon se ky proces përfshin jo vetëm hapjen e seancës, por edhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, si dhe të nënkryetarëve, sipas nenit 67 të Kushtetutës.
Ky aktgjykim, i publikuar pas vendimit të mëparshëm të 26 qershorit 2025 në rastin KO124/25, vjen si rikujtesë e rëndësisë së respektimit të afateve kushtetuese dhe elementeve thelbësore të procesit të konstituimit.
Gjykata thekson se respektimi i afatit tridhjetëditor është domosdoshmëri për të siguruar funksionimin e rregullt institucional dhe për të garantuar stabilitetin demokratik në vend.