Gjykata Kushtetuese e DhSK rrëzon ankesën e Hashim Thaçit për shkelje të të drejtave themelore

25.12.2024

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila lidhej me pretendimet për shkeljen e të drejtave të tij themelore gjatë paraburgimit.

Ankesa kishte të bënte me masat hetimore të posaçme të vendosura nga gjykatësi i vetëm vitin e kaluar.

Thaçi pretendoi se masat e vendosura kishin shkelur disa nene të Kushtetutës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore, duke përfshirë monitorimin e bisedave jo të privilegjuara, të cilat ai i konsideroi cenim të privatësisë dhe të drejtës për një gjykim të drejtë.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese:

• Pretendimet për shkeljen e privatësisë u konsideruan të papranueshme. Paneli arsyetoi se ankesa nuk demonstroi ndonjë shkelje kushtetuese dhe e refuzoi bazuar në rregullën 14(f) të Rregullores së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

• Pretendimet për shkeljen e të drejtës për avokat dhe të drejtës për të mbrojtur në heshtje u hodhën poshtë si të parakohshme, duke theksuar se nuk ka filluar ende ndonjë procedurë gjyqësore lidhur me këto çështje.

Gjykata theksoi gjithashtu se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike të mundshme në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret përkatëse.

Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sipas një aktakuze të konfirmuar më 26 tetor 2020. Akuzat përfshijnë dhjetë pika, duke përfshirë ndjekje, burgosje të paligjshme dhe tortura.

Në aktakuzën e ndryshuar, dorëzuar më 30 shtator 2022, Thaçi akuzohet gjithashtu për përfshirje në përpjekje për të ndikuar në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë paraburgimit. Sipas ZPS-së, Thaçi dhe disa grupe të tjera të lidhura me të kanë ndërmarrë veprime për të penguar punën e zyrtarëve të drejtësisë.

Akuzat shtesë për pengim të drejtësisë

Në aktakuzën e dytë, Thaçi ngarkohet me:

• Tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

• Tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës

• Katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës

Ndërsa, persona të tjerë të përfshirë, përfshirë Isni Kilajn dhe Bashkim Smakajn, akuzohen për tentativë të pengimit të drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Hashim Thaçi dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat gjatë paraqitjeve të tyre të para në vitin 2020. Procesi gjyqësor mbetet në pritje, ndërsa vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese përforcojnë se mbrojtja duhet të ndjekë rrugët e plota ligjore para se të apelojë në nivelin kushtetues.