Dhomat e Specializuara të Kosovës: Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

30.01.2025

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme, dëshmitari i radhës pritet të dëshmojë përmes video-lidhjes.

Dje, dëshmitari i 118-të, Naser Krasniqi, përfundoi dëshminë e tij. Dëshmia e tij filloi të hënën dhe me kërkesën e tij, iu hoqën masat mbrojtëse. Gjatë kohës sa dëshmonte në sallë, ai përfaqësohej nga një avokat i cili ndodhej jashtë sallës së gjyqit, por që sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, avokati ishte i disponueshëm në rast që dëshmitari kërkonte konsultim ligjor lidhur me ato që do të thoshte në Hagë ose me çështje që mund ta inkriminonin. Gjatë fundit të dëshmisë, Krasniqi përveç nga trupi gjykues, u mor në pyetje sërish nga mbrojtja e Kadri Veselit, përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet me intensitet të shtuar, me dëshmi të reja që dalin çdo ditë.