Çedomir Aksiq dënohet me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Çedomir Aksiqin, i akuzuar për krime lufte në periudhën janar-maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes.
Ky gjykim është zhvilluar në mungesë të të akuzuarit.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra. Aksiqi u shpall fajtor për veprën penale dhe dënimi prej 15 vjetësh do të ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjithashtu, ai është urdhëruar të paguajë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Viktimave të Krimit.
Sipas gjykatës, palët e dëmtuara mund të ndjekin kërkesat e tyre pasurore-juridike përmes një kontesti civil, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër aktgjykimit.
Gjykimi në mungesë ndaj Aksiqit filloi më 20 nëntor 2023, bazuar në dispozitat e Kodit të Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën më 4 maj 2023, duke e akuzuar atë për krime lufte në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë të Komunës së Shtimes.
Aktakuza pretendon se në periudhën janar-maj 1999, Aksiqi, në bashkëpunim me forca të tjera serbe, shkaktoi vuajtje të mëdha dhe cenime ndaj integritetit trupor të popullatës civile. Ai akuzohet për urdhërimin e dëbimit të banorëve dhe djegien e shtëpive të tyre, duke shkaktuar dëme deri në 300,000 euro.
Sipas aktakuzës, në lokacionin “Kodra e Gështenjave”, Aksiqi dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe urdhëruan dhe zbatuan dëbimin e banorëve, duke djegur shtëpitë e tyre. Në “Lugu i Neshës” në Petrovë, ai akuzohet për ekzekutimin e Halil Hysenajt.
Gjithashtu, në fshatin Reçak, Aksiqi akuzohet për pjesëmarrje në vrasjet e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Aksiqi është shpallur fajtor për “Krim lufte kundër popullsisë civile”, në bazë të nenit 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Konventës së Gjenevës. Ai është akuzuar për shkelje të nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe nenit 4 të Protokollit 2 të datës 8 qershor 1977.
Dëshmitarët kryesorë në këtë rast përfshijnë Ruzhdi Jasharin, Sadri Jasharin, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, dhe të tjerë. Procesi gjyqësor u zhvillua në mungesë, pasi autoritetet nuk arritën të sigurojnë prezencën e të akuzuarit.