Produktet nga Kosova po marrin shumë treg në Gjermani

24.01.2025

Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë vazhdojnë të thellohen, siç dëshmojnë të dhënat e fundit të publikuara nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).

Sipas këtyre të dhënave, viti 2024 ka sjellë një rritje të konsiderueshme të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Vlera e eksportit të mallrave nga Kosova drejt Gjermanisë ka arritur në 92.7 milionë euro në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 7.9% në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo rritje tregon se produktet kosovare po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun gjerman, duke njohur një kërkesë në rritje për mallrat “Made in Kosova”.

Nga ana tjetër, edhe vlera e importeve nga Gjermania në Kosovë ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Sipas të dhënave të OEGJK-së, importet nga Gjermania kanë arritur në 897 milionë euro në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 19.4% në krahasim me vitin 2023. Kjo rritje tregon se Gjermania mbetet një partner tregtar i rëndësishëm për Kosovën, duke furnizuar vendin me teknologji, pajisje dhe produkte të tjera të nevojshme për zhvillimin ekonomik.