Kosovari bëhet viktimë e një aksidenti të pazakontë në Gjermani, 86-vjeçarja ngatërron pedalet dhe shkakton mbi 40 mijë euro dëme
Një ngjarje e pazakontë trafiku ka ndodhur të enjten në mëngjes në qytetin Poing të Gjermanisë, ku një grua 86-vjeçare shkaktoi dëme materiale të mëdha — mbi 40 mijë euro — pas një zinxhiri përplasjesh që përfshiu disa automjete.
Sipas raportit të policisë lokale, rreth orës 09:20, një 39-vjeçar me prejardhje nga Kosova po përpiqej të dilte me furgonin e tij nga një vend parkimi në rrugën Bürgerstraße. Në atë moment, një automjet Citroën, që drejtohej nga gruaja gjermane 86-vjeçare, po afrohej.
Siç dyshohet, për shkak të tronditjes, e moshuara shtypi pedalin e gazit në vend të frenave, duke goditur furgonin e kosovarit. Përplasja e fortë shkaktoi një reaksion zinxhir, ku automjeti i saj u përplas më pas me dy makina të tjera të parkuara, të cilat gjithashtu u dëmtuan rëndë.
Policia njoftoi se gruaja u largua nga vendi i ngjarjes pa leje, por më vonë u gjet në shtëpinë e saj. Mjeti që ajo drejtonte u shpall i shkatërruar tërësisht, me një vlerë rreth 6,500 euro, ndërsa dëmet në dy makinat e tjera u vlerësuan në 18,000 dhe 12,000 euro, dhe furgoni i kosovarit pësoi rreth 4,000 euro dëme.
Fatmirësisht, askush nuk u lëndua në aksident. Ndërkohë, ndaj 86-vjeçares është hapur procedurë penale për largim nga vendi i aksidentit pa dhënë të dhënat personale, vepër që në Gjermani konsiderohet shkelje e rëndë e ligjeve të trafikut.