Konflikt i përgjakshëm i familjeve nga BeH dhe Kosova për shkak të shtatzënisë së një vajze të mitur (14) në Gjermani

04.01.2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen Neuenfelde në Hamburg mbrëmjen e së enjtes.

Dy familje, njëra nga Bosnja dhe Hercegovina dhe tjetra nga Kosova, janë përfshirë në një konflikt të përgjakshëm që ka përfunduar me disa të plagosur. Përleshja ndodhi në një qendër akomodimi për refugjatë në Neuenfelder Fährdeich.

Sipas mediave gjermane, shkak i konfliktit është bërë shtatzënia e një vajze 14-vjeçare, e cila ishte në një lidhje me një djalë 18-vjeçar. Nuk është konfirmuar se nga cila familje ishte vajza shtatzënë, por ky fakt duket se ka shkaktuar tension të madh mes dy familjeve. Konflikti ka nisur fillimisht me përplasje fizike, por më pas ka degjeneruar në përdorimin e thikave.

Si pasojë e përleshjes, pesë persona kanë pësuar lëndime të rënda, duke përfshirë plagë nga prerje, shpime dhe madje kafshime. Disa prej tyre janë transportuar me urgjencë në spital për trajtim. Gjendja e të plagosurve ende nuk është bërë e ditur plotësisht nga autoritetet.

Përballë situatës së rëndë, policia ka ndërmarrë një aksion masiv, duke angazhuar 21 automjete patrullimi, pesë autoambulanca dhe tre njësi të qenve policorë. Në vendngjarje ka mbërritur edhe njësia speciale USE, e armatosur për të përballuar situata të vështira. Operacioni policor ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, me oficerë që kanë kontrolluar hapësirën dhomë për dhomë për të siguruar qetësinë.

Policia e Hamburgut ka nisur hetimet për të zbuluar detajet e sakta të kësaj përleshjeje të përgjakshme. Autoritetet janë duke punuar për të identifikuar se kush janë autorët e sulmeve dhe shkallën e lëndimeve të pësuara nga secili person.

Ky incident ka ngjallur reagime të forta në komunitetin lokal dhe ka hapur sërish debatet për menaxhimin e tensioneve kulturore dhe sociale në qendrat e akomodimit të refugjatëve në Gjermani.