Gjermania mund të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm nga 2026

para 56 dite

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar se Gjermania po shqyrton mundësinë e rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm duke filluar nga viti 2026, nëse numri i ushtarëve vullnetarë nuk arrin nivelet e nevojshme. Lajmin e raporton Gazeta Sinjali.

Gjermania mund të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm nga 2026 Foto: Rekrutët në ushtrinë gjermane, Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, Pistorius shpjegoi se nëse forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr) nuk arrijnë të rekrutojnë mjaftueshëm personel vullnetar, atëherë rikthimi i shërbimit të detyrueshëm, i cili u pezullua në vitin 2011, do të bëhet i domosdoshëm. Gjermania, si anëtare e NATO-s, ka nevojë për rreth 100,000 ushtarë shtesë për të përmbushur angazhimet brenda aleancës.

“Modeli ynë bazohet kryesisht në pjesëmarrjen vullnetare, por nëse vjen koha, mund ta bëjmë afatin të detyrueshëm,” deklaroi Pistorius, duke shtuar se një projektligj për këtë çështje mund të paraqitet deri më 1 janar 2026.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm kishte qenë pjesë e sistemit gjerman ushtarak që nga viti 1956 deri në pezullimin e tij në vitin 2011. Pezullimi u bë me synimin e profesionalizimit të ushtrisë dhe reduktimit të shpenzimeve. Aktualisht, Bundeswehr numëron rreth 261,000 anëtarë, nga të cilët 180,215 janë ushtarë dhe 80,761 janë civilë.

Kjo lëvizje e mundshme vjen në një kohë kur Gjermania po forcon kapacitetet e saj ushtarake pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, si dhe përballë kërkesave në rritje nga NATO për një kontribut më të madh ushtarak nga shtetet anëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit