Gjermani, ndërtimtaria në krizë, 53.6% e kompanive të ndërtimit raportuan mungesë të porosive në dhjetor
Sektori i ndërtimtarisë në Gjermani po përballet me një krizë të thellë, ndërkohë që rritja e çmimeve për materialet dhe shërbimet po përkeqëson situatën.
Të dhënat e fundit nga Instituti ifo tregojnë një panoramë shqetësuese: 53.6% e kompanive të ndërtimit raportuan mungesë të porosive në dhjetor, një përmirësim minimal krahasuar me nëntorin, kur kjo shifër arriti në 54%.
Edhe pse normat e interesit kanë filluar të bien, duke ulur kostot e kredive, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të nxitur sektorin e ndërtimit. Kompanitë përballen me sfida strukturore dhe ekonomike, që kërkojnë ndërhyrje urgjente. Ekspertët theksojnë nevojën për një program të veçantë për ndërtimin e banesave sociale, i cili jo vetëm që do të lehtësonte krizën në ndërtimtari, por edhe do të ndihmonte qytetarët që po përballen me çmime të papërballueshme për apartamentet. Megjithatë, kjo duket se është një sfidë që pritet të trajtohet nga qeveria e re.
Një tjetër faktor që përkeqëson situatën është rritja e vazhdueshme e çmimeve në ndërtimtari. Në nëntor, kostoja e ndërtimit të ndërtesave të reja të banimit ishte 3.1% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje janë vërejtur në pothuajse të gjitha kategoritë e materialeve dhe shërbimeve, përfshirë:
- Sistemet e ngrohjes
- Betonin
- Kulmet dhe konstruksionet prej druri
- Punimet e zdrukthtarisë dhe ndërtimit metalik
Këto çmime janë rritur nga 1% deri në 7% në muajin nëntor, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për ndërtuesit dhe investitorët.