Gjermani, fillon gjyqi ndaj shqiptarit që dyshohet se vrau një bashkatdhetar në Eisenbahnstrasse
Në Gjykatën Rajonale të Lajpcigut ka nisur të enjten procesi gjyqësor ndaj një shtetasi shqiptar 52-vjeçar, i cili akuzohet se verën e kaluar ka goditur me thikë për vdekje një bashkatdhetar 39-vjeçar në zonën e njohur të Eisenbahnstrasse, përballë një lokali.
Sipas të dhënave të paraqitura në seancën e parë, i pandehuri dyshohet se e ka goditur viktimën me thikë në gjoks gjatë një përplasjeje që ndodhi gjatë natës. Viktima ka ndërruar jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. Për këtë ngjarje kishim raportuar edhe më herët, kur krimi tronditi komunitetin shqiptar në këtë zonë.
Ende mbetet e paqartë arsyeja që çoi në konfliktin mes dy bashkatdhetarëve, ndërsa prokuroria ka ngritur aktakuzë për “vrasje nga pakujdesia”.
Procesi gjyqësor është planifikuar të zgjasë 14 ditë, ndërsa aktgjykimi përfundimtar pritet të shpallet në muajin gusht.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin lokal, ndërkohë që mediat gjermane dhe ato shqiptare po ndjekin me vëmendje zhvillimet nga gjykata e Lajpcigut.