Gjermani, dënim i përjetshëm për shqiptarin dhe iranianen që vranë një algjeriane për të falsifikuar vdekjen

19.12.2024

Në një rast që ka tronditur Gjermaninë dhe më gjerë, gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm gjermano-iranianen Shahraban KB (25) dhe kosovarin Sheqir K. (25) për vrasjen brutale të algjerianes Khadidja O. (23).

Gjykatësi vlerësoi se veprimet e Shahraban KB ishin veçanërisht të rënda, duke e cilësuar atë si nxitëse kryesore të krimit.

Shahraban KB, e cila jetonte në Ingolstadt, kishte një plan makabër: të vriste një grua që i ngjante asaj për të falsifikuar vdekjen e saj dhe për t’u fshehur nga familja e saj dhe e kaluara problematike. Ajo dhe Sheqir K. përdorën rrjetet sociale për të joshur viktimën, një blogere e re me origjinë algjeriane. Khadidja O. u mashtrua me një ofertë për trajtim bukurie dhe u çua në një pyll afër Heilbronn-it, ku u vra brutalisht me 56 goditje thike.

Pas vrasjes, Shahraban KB parkoi makinën e saj pranë shtëpisë së prindërve të saj me trupin e shpërfytyruar të viktimës brenda. Për shkak të ngjashmërisë fizike midis saj dhe Khadidja O., familja e Shahraban mendoi fillimisht se trupi i përkiste vajzës së tyre. Vetëm pas 24 orësh, autoritetet zbuluan mashtrimin, falë raportimeve për zhdukjen e Khadidja-s dhe gjurmëve të ADN-së.

Hetimet zbuluan një histori të ndërlikuar motivimesh dhe veprimesh kriminale. Sipas policisë, martesa e dështuar e Shahraban KB dhe presioni nga komuniteti jezidi mund të kenë nxitur planin e saj ekstrem. Gjithashtu, u zbulua se ajo dhe Sheqir K. kishin tentuar të porosisnin një vrasës me pagesë për të eliminuar një familjar të ish-bashkëshortit të saj.

Gjatë gjyqit, kosovari Sheqir K. nuk dha asnjë deklaratë për motivet e tij, por provat e ADN-së dhe dëshmitë e bashkëpunëtorëve të tij e implikuan rëndë. Ndërkohë, avokati i tij mbrojtës pretendoi se krimi mund të ishte një sakrificë njerëzore për të rikthyer burrin e Shahraban.

Gjykata dënoi të dy me burgim të përjetshëm, duke theksuar peshën e veçantë të fajit të Shahraban KB. Menjëherë pas vendimit, avokati i saj mbrojtës deklaroi se do të apelonte vendimin.

Ky rast, i njohur tashmë si “vrasja e doppelganger-it”, ka ngritur pyetje të mëdha mbi shfrytëzimin e rrjeteve sociale dhe natyrën e krimeve të planifikuara në detaje. Ndërkohë, autoritetet dhe publiku vazhdojnë të merren me pasojat e këtij akti të tmerrshëm.

Viktima me origjinë algjeriane Khadidja O. (23)