Gjermani, arrestohet një shqiptar me 272 gramë kokainë
Policia federale në Aachen arrestoi të dielën një 24-vjeçar shqiptar, i cili kishte mbërritur nga Belgjika me tren në distanca të gjata.
Arrestimi ndodhi gjatë një kontrolli rutinë të dokumenteve, ku autoritetet zbuluan shkelje të rregullave të imigracionit dhe posedim të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të pasaportës shqiptare të 24-vjeçarit, oficerët konstatuan një vulë nga Inspektorati Federal i Policisë së Aeroportit të Këlnit/Bonnit. Kjo vulë tregonte një urdhër për largimin e tij nga Gjermania deri më 6 dhjetor 2024. Duke qenë se ai nuk i ishte përmbajtur këtij urdhri, autoritetet e shoqëruan për procedura të mëtejshme.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, policia i gjeti 24-vjeçarit 272 gram kokainë (peshë bruto), e cila u konfiskua menjëherë. Pas zbulimit të drogës, shqiptari u dorëzua në zyrën e doganës për hetime të mëtejshme.
Gjyqtari përgjegjës caktoi masën e paraburgimit për të riun, duke e lënë në pritje të procesit penal. Shqiptari tani përballet me akuza, përfshirë posedimin dhe transportin e drogës, si dhe shkeljen e ligjeve të imigracionit.