Gjermani, arrestohet gjatë kontrolleve kufitare 23-vjeçari kosovar i kërkuar për disa vepra penale

16.02.2025

Më 13 shkurt, policia federale e Freilassing në Gjermani ka arrestuar një 23-vjeçar nga Kosova, i cili ishte në kërkim nga prokuroria publike dhe Gjykata e Qarkut në Landshut për disa vepra penale.

Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor Federal Freilassing, i riu u ndalua gjatë kontrolleve kufitare dhe pas verifikimit të të dhënave, policia zbuloi se ndaj tij ishin lëshuar dy urdhër-arreste në raste të ndryshme.

Dënimet dhe urdhrat e arrestit

  • Viti 2021 – Gjykata e Rrethit Landshut kishte lëshuar një urdhër-arresti pasi 23-vjeçari nuk kishte vuajtur një dënim rinor prej një viti burg për grabitje dhe zhvatje.
  • Dhjetor 2023 – Gjykata e Rrethit Landshut lëshoi një urdhër penal duke e dënuar me një gjobë prej 900 euro për shkelje të ligjit për armët ose, në rast mosshlyerjeje, një dënim me burg 60-ditor.
  • Viti 2024 – Gjykata e Qarkut në Landshut lëshoi një urdhër-arresti për krime sipas nenit 29a të Ligjit për Narkotikët, që lidhet me shkelje të rënda në lidhje me lëndët narkotike.

Pas arrestimit, policia federale e ka dërguar të riun kosovar në një institucion korrektues, ku ai do të përballet me pasojat ligjore të veprave për të cilat ishte dënuar.