Gjermani, arrestohet 29-vjeçari kosovar i kërkuar nga Zvicra për lëndime të rënda trupore

05.10.2025

Një 29-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia federale gjermane sapo hyri në territor nga Franca.

Sipas autoriteteve, ndalimi ka ndodhur mbrëmjen e vonë të 30 shtatorit 2025, në pikën kufitare të Neuenburg am Rhein. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet zvicerane me një urdhër arresti evropian për shkak të lëndimeve të rënda trupore.

Pas arrestimit, kosovari u dërgua menjëherë para gjykatës së rrethit, e cila ekzekutoi urdhrin e ekstradimit. Aktualisht, ai ndodhet në një qendër korrektuese, ku pritet vendimi përfundimtar mbi ekstradimin e tij në Zvicër.